“Mirëmbrëma, jam Roberto Mollo. Kam pasur hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”, tha 35-vjeçari nga Baldissero d’Alba në provincën e Cuneos në telefonatën e parë që bëri në numrin e emergjencës 112 pasi qëlloi ndaj personave që tentuan të hynin në banesën e tij. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 shtator.
Sipas hetimeve, Roberto Mollo, shofer kamioni, që jetonte në një shtëpi në rikonstruksion, hapi zjarr 13 herë kundër një grupi grabitësish që po tentonin të kryenin një vjedhje në objekt. Një prej plumbave goditi 36-vjeçarin Gjovalin Lasri, i cili humbi jetën. Telefonata e Mollo-s me 112 është transmetuar nga Tg1, ku ai shpjegon gjendjen dhe thotë se kishte frikë dhe ishte i dëshpëruar, se po i silleshin njerëz nëpër shtëpi dhe më pas konfirmon për karabinierët se ishte i armatosur dhe kishte qëlluar për t’u mbrojtur: “Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur” dhe “Po, i qëllova”.
Autoritetet njoftojnë se 36-vjeçari Gjovalin Lasri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës, i veshur me kapuç dhe doreza dhe duke mbajtur një elektrik dore; në xhepat e tij u gjet një kaçavidë, ndërsa me vete kishte rreth 2,000 euro. Hetuesit po verifikojnë nëse këto para kanë lidhje me vjedhje të tjera. Sipas dyshimeve të para, grupi që veproi në Baldissero d’Alba mund të ketë qenë pjesë e një bande “grabitësish në lëvizje” që udhëtojnë në zona të ndryshme dhe kryejnë disa vjedhje në të njëjtën natë.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë dhe të lokalizojnë personat e tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit.

