Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të organizuar nën kryesimin e Kroacisë. Në fjalën e tij ai kërkoi forcimin e këtij mekanizmi përballë sfidave të reja të sigurisë dhe theksoi nevojën për një bashkëpunim rajonal më gjithëpërfshirës, duke kërkuar përparim në procesin e anëtarësimit të Kosovës. “Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje për një kohë tepër të gjatë. Përparimi në këtë çështje do të forconte kohezionin rajonal dhe aftësinë tonë kolektive për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”, u shpreh ministri Hoxha.
Ai vuri në dukje se, më shumë se dy dekada pas krijimit të saj, Karta e Adriatikut mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë rajonale dhe e bashkëpunimit euroatlantik. Ministri theksoi se kërcënimet kibernetike, çështjet e sigurisë energjetike dhe manipulimi e ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI) kërkojnë rritjen e efektshmërisë së Kartës, si dhe thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në tërësi.
Duke u ndalur te rëndësia e gjithëpërfshirjes, Hoxha theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon integrimin e plotë të të gjitha vendeve dhe shoqërive të rajonit në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët. “Stabiliteti afatgjatë mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit të jenë plotësisht të integruara në kuadrin e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët, mbi të cilin mbështetet e ardhmja jonë”, theksoi ai.
Në përmbyllje ministri nënvizoi se një Kartë e Adriatikut më e hapur, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse, e aftë t’u përshtatet sfidave të reja, do t’i shërbente një Ballkani Perëndimor më të sigurt dhe të ardhmes së përbashkët euroatlantike.

