Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, e cila ditën e djeshme është vendosur në arrest shtëpiak nga SPAK, figuron në listën e personave të propozuar për gradën “Kalorës” të Urdhrit Kombëtar të Meritës nga autoritetet franceze. Emri i saj shfaqet në një dokument zyrtar të Grande Chancellerie de la Légion d’honneur të datës 10 gusht 2026, i publikuar si “Dekret i 10 gushtit 2026 për emërime ose ngritje në gradë në Urdhrin Kombëtar të Meritës”. Dokumenti përfshin propozime për emërime ose ngritje në gradë në Urdhrin Kombëtar të Meritës për shtetas të huaj gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Lista e publikuar është e organizuar sipas gradave të urdhrit; në pjesët e para renditen propozimet për gradat “Komandor” dhe “Oficer”, ndërsa më tej paraqiten kandidatët për gradën “Kalorës”. Në seksionin territorial “Shqipëria”, emri i Vlora Hysenit figuron te “Propozime për gradën e Kalorësit”. Autoritetet franceze pranë emrit të saj e identifikojnë Hysenin si person me “shtetësi kosovare dhe shqiptare” dhe si “drejtuese të shërbimit të inteligjencës së shtetit”.
Emri i saj bën pjesë në një listë më të gjerë me persona të propozuar nga vende të ndryshme. Menjëherë pas seksionit për Shqipërinë, dokumenti rendit Armeninë, ku përfaqësuesja Kristinne Grigoryan identifikohet si drejtuese e shërbimit të inteligjencës së jashtme. Përveç kësaj, dokumenti përmend zyrtarë të lartë të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes nga vende të ndryshme, përfshirë Brazili, Kamerunin, Bregun e Fildishtë, Spanjën, Estoninë, Shtetet e Bashkuara, Indonezinë, Japoninë, Libanin dhe Katarin, duke përfshirë drejtues institucionesh dhe ushtarakë.
Dokumenti zyrtar nuk ofron përshkrime të mëtejshme për Vlora Hysenin përtej të dhënave të shtetësive dhe funksionit të saj si drejtuese e shërbimit shtetëror të inteligjencës. Publikimi është bërë nga Grande Chancellerie de la Légion d’honneur, institucioni francez përgjegjës për nxjerrjen e akteve dhe informacioneve zyrtare lidhur me urdhrat kombëtarë francezë. Në këtë dokument, emri i Vlora Hysenit shfaqet konkretisht në seksionin “Propozime për gradën e Kalorësit”, territori “Shqipëria”.

