Nga 5 tetori hyn në fuqi parkimi me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit. Bashkia ka përcaktuar zonat, tarifat dhe oraret, ndërsa nënkryetari Gentian Kallmi dha detajet e skemës së re. Parkimi ndahet në dy zona: Zona A me tarifë 100 lekë në orë dhe Zona B me tarifë 40 lekë në orë.
Oraret ndryshojnë sipas periudhave të vitit. Gjatë periudhës 1 tetor–31 maj pagesa aplikohet nga e hëna në të premte, nga ora 08:00 deri në 16:00; pas orës 16:00 dhe të shtunën e të dielën parkimi në rrugë është pa pagesë. Në sezonin veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë zbatohet çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00.
Rezidentët përbëjnë një kategori të veçantë: banorët e rrugëve ku aplikohet tarifa mund të përfitojnë abonim vjetor për një automjet me koston 10,000 lekë. Për hapësirat publike të miratuara mes pallateve, rezidentët mund të pajisen pa pagesë me vërtetim parkimi. Aplikimi bëhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin; pas verifikimit të dokumenteve, abonimi ose vërtetimi lëshohet brenda pesë ditësh dhe duhet të vendoset në një vend të dukshëm në automjet.
Skema përfshin edhe sheshet “Jorgji Ziu”, “Vollga” dhe parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në këto hapësira tarifa fillon nga 100 lekë për qëndrimin deri në dy orë dhe shkon deri në 500 lekë për 12 deri në 24 orë. Pagesa bëhet me kartë bankare, përmes POS-it.
Me nisjen e sistemit të ri është pezulluar dhënia e lejeve vjetore të parkimit për subjektet në rrugët e përcaktuara si zona me pagesë. Për hapësirat mes pallateve, sistemi për rezidentët do të nisë pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse. Bashkia e Durrësit deklaron se përtej tarifimit synon organizimin e parkimit, reduktimin e parkimeve të parregullta dhe përmirësimin e qarkullimit në qytet. Paralelisht po punohet për shtimin e kapaciteteve të parkimit, përfshirë hapësirën pranë Portit të Durrësit dhe projektin për parkim nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve; për vitin e ardhshëm po shqyrtohet edhe zgjerimi i parkimit pranë shëtitores “Taulantia”.

