Publikimi i INSTAT “Gratë dhe Burrat në Shqipëri 2026” tregon se, megjithë dominimin e grave në arsimin e lartë dhe në disa nivele të arsimit formal, ato mbeten më pak të përfaqësuara në tregun e punës, paguhen më pak dhe mbajnë barrën kryesore të punëve të shtëpisë. Në fund të vitit 2025 popullsia e Shqipërisë ishte rreth 2,336,000 banorë, me 50,6 për qind gra dhe 49,4 për qind burra. Gjatë vitit lindi 22,541 fëmijë, 769 më pak se një vit më parë, dhe raporti i lindshmërisë ishte 108 djem për çdo 100 vajza.
Në arsim, vajzat përbënin 65,3 për qind të rreth 29,000 studentëve të diplomuar dhe zgjodhën kryesisht shëndetësinë, mirëqenien, biznesin dhe ligjin, ndërsa djemtë dominuan në inxhinieri dhe teknologjinë e informacionit. Gratë përbënin rreth 80 për qind të mësuesve të arsimit 9-vjeçar, por vetëm 35,8 për qind të stafit akademik me titullin “Profesor”.
Pabarazia në tregun e punës rezulton e dukshme: shkalla e punësimit është 62,7 për qind për gratë, kundrejt 76 për qind për burrat. Papunësia tek gratë arriti 10,6 për qind dhe u rrit në krahasim me 2024-ën, ndërsa te burrat ra në 8,2 për qind. Një në katër gra të punësuara punonte pa pagesë në biznesin familjar. Si aktivitet kryesor, 15,1 për qind e grave deklaruan punët e shtëpisë, kundrejt 0,7 për qind të burrave. Hendeku i pagave ishte 4,6 për qind në disfavor të grave.
Në vendimmarrje, gratë zinin 35 për qind të vendeve në Kuvend dhe drejtonin ose zotëronin 31,6 për qind të ndërmarrjeve aktive. Rreziku për varfëri ose përjashtim social ishte më i lartë për gratë, 41,5 për qind, krahasuar me 39,4 për qind për burrat. Raporti evidenton gjithashtu dhunën me bazë gjinore: gjatë vitit 2025 u regjistruan 1,507 gra të dëmtuara nga dhuna në familje, 43,3 për qind e rasteve në qarkun e Tiranës. Nga 40 vrasje me dashje, tetë lidhen me marrëdhënie familjare.

