Aktorja Drea de Matteo, e njohur ndërkombëtarisht për rolin e Adriana La Cerva në serialin “The Sopranos”, ka treguar arsyet që e shtynë të hapte llogari në platformën OnlyFans dhe se si kjo ndryshoi situatën e saj financiare. 54-vjeçarja iu bashkua OnlyFans në vitin 2023 gjatë një periudhe të vështirësive ekonomike, kur rrezikonte të humbiste shtëpinë. Sipas rrëfimit të saj, vetëm 75 minuta pas hapjes së llogarisë, ajo fitoi rreth 75,000 dollarë, shuma që e përdori për të shlyer një detyrim financiar të lidhur me shtëpinë.
De Matteo ka shpjeguar se përvoja e bëri ta perceptonte OnlyFans jo thjesht si një faqe online, por si një mënyrë për të pasur më shumë kontroll mbi punën dhe të ardhurat. Ajo ka theksuar se nuk ka ndërmend ta braktisë platformën, duke u shprehur se aty ka gjetur një lloj lirie që i mungonte në industrinë e aktrimit. “Puna në OnlyFans më jep lirinë të punoj kur dua unë,” ka deklaruar aktorja.
Përveç rolin në “The Sopranos”, De Matteo ka luajtur edhe në seriale si “Desperate Housewives” dhe “Joey”. Megjithatë, ajo ka vënë në dukje se fama në televizion nuk ka garantuar domosdoshmërisht siguri financiare; gjatë viteve të saj në televizion ajo nuk ka përfituar të ardhura të mëdha nga transmetimet e mëvonshme të produksioneve ku ka marrë pjesë. Kjo përvojë ka ndikuar në vendimin e saj për të shfrytëzuar një platformë që i mundëson të menaxhojë drejtpërdrejt përfitimet ekonomike dhe oraret e punës.
Në intervistën për “The Sun” De Matteo ka folur hapur për ndikimin që pati hyrja në OnlyFans në stabilitetin e saj financiar dhe për mënyrën se si platforma i ka ofruar një pavarësi më të madhe profesionale.

