Në emisionin “Top Story” me Grida Dumën u diskutua ndikimi i vendimeve të arbitrazheve ndërkombëtare dhe kostot që këto mund të sjellin për shtetin shqiptar, me theks të veçantë mbi projektin e Aeroportit të Vlorës, i cili, sipas afateve, duhej të ishte përfunduar tashmë. Debati përqendrohej tek kontratat, financimi, struktura e aksionerëve dhe përplasjet ndërmjet palëve, si dhe proceset gjyqësore dhe arbitrazhet lidhur me projektin. U ngritën pyetje për mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve kontraktuale dhe financiare dhe mbi përgjegjësitë për vonesat dhe zhvillimet që kanë ndikuar në ecurinë e projektit.
Ylli Manjani deklaroi se kontrata i ishte dhënë një personi pa garanci financiare, me kosto zero për të, teksa shteti kishte mbuluar të gjitha shpenzimet publike si shqpronësimet dhe lejet e ndërtimit. Sipas tij, kontraktori kishte përgjegjësinë për ndërtimin, por nuk e kreu punën dhe është i paaftë. Grida Duma pyeti se pse i ishte dhënë kontrata, ndërsa Manjani u shpreh se Behgjet Pacollit i ishte dhënë një shans i madh që nuk u shfrytëzua.
Klodian Tomori sqaroi aspektet financiare: Pacolli kishte marrë kredi nga një nënfond investimesh me mbyllje rrethit, me mbështetje të paqartë prapa tij. Paratë prej 100 milionë eurosh u morën nga MABCO dhe ishte pjesë e kontratës që VIA të bëhej huamarrës shtesë, duke aderuar në këtë kredi. Nuk u vendosën asetet e aeroportit si garanci, pasi ato janë të shtetit, por ishin parashikuar flukset e të ardhurave dhe kontroll menaxherial për huamarrësit. Sipas Tomorit, kjo kredi ishte arsyeja që Pacolli u përjashtua nga aeroporti dhe iu ngrinë votat; Gjykata e Lartë e ka pranuar se ai është aksioneri kryesor dhe kontrata për shitjen e 47% të aksioneve ekziston. Ai tha se Pacolli kishte marrë kreditë pa dijeninë e partnerëve, çështje që kaloi në gjykata.
Tomori përmendi edhe rolin e YDA Group, me 40% të aksioneve, dhe tha se kompania turke nuk erdhi si partner i vërtetë ndërtimi, por u përdor për dokumentacion. Ai mohoi se aksionet ishin shitur për 4 mijë euro, duke shtuar se në Turqi ishin paguar rreth 4 milionë euro. Për përgjegjësinë institucionale, Tomori tha se ministria e infrastrukturës ishte përgjegjëse për daljen e turqve dhe se daljen e kishte firmosur Belinda Balluku.

