Lëvizja Vetëvendosje njofton se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit para se të marrë vendim për procedimin e propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në njoftim theksohet se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr, prandaj duhet pritur vendimi i Kushtetueses dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të rrjedhin prej tij.
Nga Vetëvendosje thanë se propozimin do ta shqyrtojnë me kujdes në aspektin juridik, duke vënë në dukje se procedurat ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes. Për këtë arsye, çdo iniciativë sipas tyre duhet të vlerësohet edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast dhe të ndërtohet një qasje institucionale e koordinuar. Partia kërkon që çdo veprim të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar me kujdes pasojat e mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën në shkallë të dytë, respektivisht në apelin, në mënyrë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim.
Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se është e gatshme të tërheqë lëndët nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kontestin e konstituimit të Kuvendit nëse Vetëvendosje publikisht zotëron se do të votojë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas PDK-së, në këtë rast ajo do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë procesin me përgjegjësinë e duhur shtetërore; kështu ka deklaruar sekretarja e partisë, Vlora Çitaku. PDK-ja nisi propozimin për ndryshim-plotësim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të hënën, si kundërpërgjigje ndaj aktgjykimit që lidhet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

