Për herë të parë në Tiranë u mblodhën 235 pjesëmarrës nga e gjithë Europa dhe më gjerë në një konferencë të FBI-së. Takimi shërbeu si një forum për forcimin e bashkëpunimit, zhvillimin e strategjive dhe rritjen e kapaciteteve ndërinstitucionale për të luftuar aktivitetin e grupeve kriminale.
Fokus i diskutimeve mes pjesëmarrësve dhe autoriteteve shqiptare ishte shkëmbimi i ekspertizës dhe koordinimi i veprimeve kundër krimit ndërkufitar. Jim Gallagher, president i FBI National Academy Associates, theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar duke argumentuar se me rritjen e botës rritet edhe niveli i krimit dhe për këtë arsye vendet duhet të veprojnë të lidhura. Ai tha: “Është një përfitim shumë i madh për të dyja palët. Ne do të shërbejmë dhe do të mbështesim njëri-tjetrin dhe kjo prezencë e dëshmon këtë, sa më e madhe bëhet bota, aq më i madh bëhet dhe krimi. Duhet të jemi të lidhur së bashku, në mënyrë që të luftojmë krimin ndërkufitar”.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, cilësoi bashkëpunimin ndërkombëtar si një prioritet dhe vuri në dukje përparimet e Shqipërisë në goditjen e krimit të organizuar. Braho theksoi se autoritetet shqiptare kanë fituar njohuri mbi mënyrat se si grupet kriminale fshehin dhe lëvizin përfitimet, ndërsa për SPAK bashkëpunimi lidhet edhe me përgjegjësinë ndaj hetimeve ndërkombëtare. Ai deklaroi: “Në Shqipëri kemi bërë përparim në goditjen e krimit të organizuar, kemi fituar njohuri sesi fshehin dhe lëvizin përfitimet grupet kriminale. Për SPAK bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë. Një informacion që gjejmë në Shqipëri mund të ndihmojë një hetim në vendin tuaj. Falenderoj FBI dhe partnerët ndërkombëtar për ekspertizën që ndajnë me ne”.
Konferenca është edicioni i 42-të i Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, dhe midis 235 pjesëmarrësve janë përfaqësues të FBI-së dhe punonjës të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga e gjithë Europa dhe më gjerë.

