Tetëmbëdhjetë persona janë ekstraduar nga Haiti në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza për përfshirje të dyshuar në vrasjen e ish-presidentit Jovenel Moise më 6-7 korrik 2021. Lajmin e bëri të ditur prokurori federal amerikan Jason Redding Quinones, i cili përshkroi ekstradimin si “fazën tjetër të rëndësishme” të përpjekjeve për të sjellë para drejtësisë të dyshuarit. Ai gjithashtu shkroi në platformën X se “Pesë vjet pas ngjarjeve, ne vazhdojmë t’i sjellim të dyshuarit para drejtësisë amerikane dhe ende nuk kemi mbaruar”, duke bërë të ditur se në këtë çështje janë ngritur akuza ndaj 30 personave.
Mes të ekstraduarve ndodhet Joseph Felix Badio, ish-anëtar i njësisë kundër korrupsionit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, i cilësuar nga burime të qeverisë së përkohshme dhe policisë haitiane si një nga të dyshuarit kryesorë. Të tjerët e ekstraduar janë kryesisht mercenarë kolumbianë sipas të njëjtave burime.
Jovenel Moise, 53 vjeç, u qëllua për vdekje gjatë natës në rezidencën e tij private në Port-au-Prince nga një grup personash të armatosur, ndërsa truprojat nuk ndërhynë. Vrasja thelloi krizën politike dhe të sigurisë në Haiti, vend i cili nuk ka mbajtur zgjedhje që nga 2016 dhe prej asaj kohe nuk ka pasur një president. Pas sulmit, policia haitiane arrestoi rreth 40 persona, përfshirë afërsisht 20 mercenarë kolumbianë, por hetimi vendës është përballur me probleme të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë.
Në paralel, autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj 11 personash, me prokurorët që pretendojnë se komploti për vrasjen ose rrëmbimin u organizua në Florida. Pesë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm në SHBA për këtë çështje, ndërsa katër të tjerë u shpallën fajtorë në maj për një sërë akuzash, përfshirë komplotin për të vrarë ose rrëmbyer presidentin e atëhershëm.
Situata e përgjithshme në Haiti është përkeqësuar rëndë nga dhuna e bandave; sipas një vlerësimi të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në qershor, rreth 1.5 milionë nga afro 11 milionë banorë janë detyruar të zhvendosen brenda vendit. Sulmet dhe episodat e dhunës nuk janë të përqendruara vetëm në Port-au-Prince. Autoritetet zgjedhore kanë parashikuar që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të zhvillohet në dhjetor, ndërsa raundi i dytë është planifikuar për shkurt 2027.

