Nëna e 13-vjeçares Aurora Tila, Morena Corbellini, reagoi me dhimbje dhe zemërim pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Itali që uli dënimin ndaj ish-të dashurit të vajzës nga 17 në 15 vjet burg. Në një intervistë për emisionin italian “Verissimo”, Corbellini tha se vendimi ishte “një goditje e rëndë” dhe se nuk e konsideron dënimin të drejtë. Ajo rrëfeu: “Kur u lexua dënimi, ndjeva një dhimbje të madhe, një dhimbje të pafundme, një disfatë”, duke shprehur edhe zhgënjimin ndaj drejtësisë: “Besoja aq shumë te drejtësia dhe sot nuk besoj më në të. Ka shumë zhgënjim dhe shumë zemërim”.
Aurora u vra kur ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa autori ishte ish-i dashuri i saj. Rasti tronditi opinionin publik në Itali dhe riktheu diskutimet mbi dhunën ndaj vajzave dhe femicidin. Për nënën e saj, dënimi prej 15 vjetësh nuk pasqyron rëndësinë e krimit: “Aurora duhej të ishte një paralajmërim, por nuk ishte. Pesëmbëdhjetë vjet për vrasjen e një vajze të vogël është e papranueshme”, tha Corbellini.
Pas daljes nga gjykata, ajo tregoi se u kthye në dhomën e vajzës, në një moment të mbushur me dhimbje dhe faj: “Shkova në dhomën e saj për t’i kërkuar falje sepse nuk mora atë që doja”. Megjithatë, Corbellini deklaroi se nuk do të heqë dorë nga beteja për drejtësi: “Beteja nuk ka mbaruar. Dua të kuptoj pse dënimet janë kaq të ulëta për ata që vrasin”.
Ajo shpreh edhe shqetësimin se dënimet e ulëta mund të ndikojnë në perceptimin e rrezikut të dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe të rrisin femicidet: “Nëse nuk kanë frikë të vrasin, femicidet do të shtohen”. Nëpërmjet fjalëve të saj, Corbellini kërkon të sjellë vëmendje mbi atë që e sheh si padrejtësi të gjykimit dhe pasojat e mundshme shoqërore nga lehtësimi i dënimeve për krimet ndaj grave dhe vajzave.

