Për herë të parë në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama prezantoi planet e qeverisë për krijimin e një partneriteti ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komuniteteve lokale në zonat turistike, me qëllim mbrojtjen e natyrës dhe territorit. Ai tha se qeveria synon të zhvillojë projekte pilot me komunitetet që merren me turizëm, të cilat do të organizohen në shoqata dhe do të marrin përsipër angazhime konkrete për ruajtjen e mjedisit.
Sipas kryeministrit, këto struktura të organizuara do të kenë rol të drejtpërdrejtë në sinjalizimin e problematikave në terren, pastrimin e mbetjeve, parandalimin e ndërtimeve pa leje, evidentimin e prerjeve të paligjshme dhe marrjen e masave për reduktimin e rrezikut nga zjarret. Rama vuri në dukje se angazhimi i komuniteteve turistike përmes shoqatave do të bëjë të mundur reagimin më të shpejtë ndaj dëmtimeve të mjedisit dhe parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë burimet natyrore.
Duke e quajtur Lumin e Shalës një “brand”, kryeministri theksoi se pasuria natyrore përbën një pjesë thelbësore të ofertës turistike dhe se dëmtimi i saj mund të ketë ndikime të drejtpërdrejta në aktivitetet ekonomike të komuniteteve që jetojnë nga turizmi. Ai nënvizoi nevojën për mbrojtje të plotë të kësaj pasurie: “Duhet mbrojtur në të gjitha aspektet, nga ruajtja e natyrës dhe higjiena, deri te mënyra e ndërtimeve dhe mirëmbajtja e pyjeve”.
Kreu i qeverisë kërkoi krijimin e një përgjegjësie të përbashkët në territoret turistike, ku shteti, komunitetet dhe operatorët lokalë të ndajnë detyrën për të ruajtur burimet natyrore. Në fjalën e tij u përmend rëndësia e organizimit të komuniteteve në shoqata që të marrin përsipër angazhime konkrete dhe praktike për mbrojtjen e mjedisit, si dhe roli i bashkëpunimit mes aktorëve lokalë dhe institucioneve shtetërore në zbatimin e masave parandaluese dhe riparuese. Burimi: Top Channel.

