Emra të njohur të kinemasë, muzikës dhe sportit janë përfshirë në një hetim për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të lëndëve narkotike në Turqi. Mediat vendase shkruajnë se Prokuroria e Bakırkoy-t në Stamboll ka lëshuar urdhra ndalimi për 18 persona, mes tyre disa prej emrave më të njohur të ekranit turk. Në listë ndodhen aktorët Aras Bulut Iynemli dhe Melis Sezen, reperi Sefo, si edhe ish-futbollisti i njohur Hasan Şaş. Operacioni është zhvilluar më 18 shtator nga ekipet e Komandës së Xhandarmërisë së Provincës së Stambollit, pas udhëzimeve të prokurorisë.
Sipas autoriteteve, në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe aktoret Nilperi Şahinkaya, Melis Işiten, Yeliz Yesilçimen dhe Hazal Filiz Kuçukkose, si dhe emra të tjerë nga bota e muzikës, biznesit dhe rrjeteve sociale. Prokuroria e Bakırkoy-t ka bërë të ditur se hetimi ka nisur mbi bazën e provave që, sipas autoriteteve, krijojnë dyshime të arsyeshme se disa prej personave të përfshirë mund të kenë përdorur substanca narkotike ose stimuluese. Hetimi po heton gjithashtu mundësinë që disa persona të kenë lehtësuar përdorimin e tyre ose të kenë siguruar ambiente për konsumimin e këtyre substancave.
Autoritetet kanë urdhëruar kontrolle, ekzaminime biologjike dhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar si pjesë të hetimit. Pas këtyre procedurave, personat që do të rezultojnë të dyshuar do të dërgohen përpara prokurorëve. Hetimi vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Bakırkoy-t dhe zyrtarisht bëhet e ditur se deri në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime nën hetim, jo për fajësi të provuar.

