Gjatë leximit të vendimit për dënimin e Hashim Thaçit me 25 vite burg, gjyqtari amerikan Charles L. Smith mbështeti edhe gjetjen se Thaçi ishte përgjegjës për vrasjen e Behajdin Allaqit. Gjyqtari arriti në përfundimin se Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij.
Reagimi më i menjëhershëm erdhi nga avokati amerikan-kroat i Thaçit, Luka Misetic, i cili në një postim në platformën X e përshkroi si shumë të dobët argumentimin e gjykatës për këtë episod. Misetic theksoi në citimin e tij se pretendimi se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit “bazohet në prova tronditësisht të dobëta, prova të cilat gjyqtarët e trupit gjykues kanë urdhëruar që të mos i nënshtrohen kurrë shqyrtimit publik”. Ai shtoi që kjo, sipas tij, përbën një mohim të të drejtave thelbësore të zotit Thaçi, duke iu referuar edhe Komitetit i të Drejtave të Njeriut i Avokatisë së Anglisë dhe Uellsit dhe duke vënë në dukje mungesën e transparencës së gjykatës dhe të drejtën për një gjykim publik.
Pas këtij reagimi, ish-diplomati britanik dhe ish-ambasador në Maqedoni, Mark L. Dickinson, iu përgjigj po në X. Dickinson tha se vendimet e gjykatës bazoheshin pothuajse tërësisht në çështje të përgjegjësisë së komandës, por evidentoi një përjashtim: një episod ku thuhet se Thaçi dhe një i pandehur tjetër ishin të pranishëm kur një i paraburgosur u mor me pranga dhe nuk u pa më kurrë. Ai vuri në dukje se kjo pjesë e procedurës ishte redaktuar, dhe për pasojë nuk mund të konfirmohet sa të besueshme ishin ato dëshmi.
Dickinson citoi gjithashtu se, sipas dëshmive të dhëna nga dëshmitarë perëndimorë, në mendimin e tyre Thaçi nuk ushtronte komandë efektive mbi komandantët rajonalë. Ai përfundoi duke thënë se vendimet e dhëna, në opinonin e tij, janë një goditje e rëndë për konceptin e drejtësisë ndërkombëtare.

