Për Richard Grenell, i dërguari special i Presidentit të SHBA me misione speciale, Kosova nuk ka nevojë për një gjykatë në Holandë që të vendosë për të. Në një intervistë për Top Story, lidhur me vendimin e dhënë në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK-së, të dënuar me 81 vjet burg në total, Grenell tha se problemi është përdorimi i gjykatave që mund të marrin vendime të ndikuara politikisht.
Ai theksoi se Kosova dhe gjykatat e saj duhet të vendosin për të ardhmen dhe për çështjet e rëndësishme, duke nënvizuar se nuk ka nevojë që një gjykatë në Holandë të marrë vendime për Kosovën. Grenell shtoi se kur jepet një gjykim i tillë, mund të mendosh se ai është i ndikuar politikisht.
Sipas tij, SHBA-ja do të veprojë në interesin më të mirë të vet dhe se Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë: të veprojë në interes të saj dhe në emër të Kosovës, duke mos lejuar që një gjykatë ndërkombëtare të vendosë për çështje që duhet t’i zgjidhë vetë shteti. Ai theksoi se nuk mendon se SHBA-ja, Trumpi apo problemet e jashtme do të kenë të bëjnë me këtë çështje, dhe përsëriti se shqetësimi kryesor është ndikimi politik në vendimet gjyqësore.
Grenell theksoi gjithashtu se hapat e mëtejshëm duhet t’i vendosin institucionet e brendshme: kryeministri dhe Parlamenti duhet të vendosin se cili do të jetë hapi i ardhshëm. Ai përfundoi duke thënë se gjykatat e Kosovës duhet t’i vendosin vetë këto çështje, duke përsëritur nevojën për vendimmarrje të brendshme dhe pavarësi nga vendimet e gjykatave të jashtme.

