Një ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, deputetja e PDK, Ganimete Musliu, në emisionin Top Story të Top Channel kërkoi bashkim veprimi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas saj, pas dënimit të katër ish-liderëve të UÇK-së, Parlamentet e dy vendeve duhet të mbajnë një seancë të përbashkët dhe të dalin me vendime të përbashkëta.
Musliu tha se Parlamenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet të jenë të unifikuar, duke theksuar se shkëputja dhe ndarja në nivele të ndryshme kanë kontribuar në rezultatin e arritur. Ajo vuri në dukje se nga idea dhe themelimi i kësaj gjykate, shtetet nuk i kanë kushtuar fokusin e duhur për ta ruajtur dhe mbrojtur historinë e tyre. Sipas saj, mungesa e angazhimit institucional dhe e një qasjeje të koordinuar është problematike.
Deputetja kritikon mungesën e seancave parlamentare në Kosovë për këtë çështje dhe e konsideron këtë gjendje si një “tragedi” për vendin, duke shtuar se vendimi i djeshëm ka goditur dhe “gjymtuar” historinë e shqiptarëve në përgjithësi. Ajo bëri thirrje që të dyja kuvendet të mblidhen në një seancë të unifikuar dhe të nxjerrin vendime si përgjigje ndaj vendimit të gjykatës.
Musliu tërhoqi vëmendjen edhe mbi krahasimin me raste të tjera, duke përmendur se janë marrë raste për Kroacinë, por theksoi se situata e Kosovës është ndryshe, pasi sipas saj në Kroaci nuk ka pasur dëshmitarë kroatë dhe konteksti nuk është i njëjtë. Ajo theksoi se situata e Kosovës është më e ndjeshme dhe se nuk duhet hequr vëmendja për pasojat e vendimit.
Duke folur për ish-liderët e UÇK-së, Musliu vuri në dukje se ata “asnjëherë nuk kanë përtuar të vdesin për Kosovën” dhe shprehu bindjen se do ta përballojnë gjyqin me dinjitet, por e përfundoi fjalimin me pyetjen se çfarë ka ngelur për t’u bërë nga ana e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Burimi: Top Channel.

