Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, njoftoi më 11 shtator se nisin pagesat direkte për Skemën Kombëtare 2026. Dy ditë më parë po kjo drejtori kishte bërë njoftimin për rikthimin për rishqyrtim të 223 aplikimeve. Në vitin 2025 inspektorët e AZHBR-së kishin përjashtuar nga skema kombëtare 223 fermerë për një periudhë trevjeçare.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), një fermer përjashtohet nga skema vetëm kur jep deklarata të rreme për sipërfaqen e të mbjellave ose numrin e gjësë së gjallë. Texti i VKM-së që citon AZHBR-ja sqaron: “Çdo subjekt, në rastet kur verifikohet se ka përfituar më shumë se 20% nga vlera për të cilën plotëson kriteret ose ka paraqitur dokumente të pasakta, përjashtohet 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.”
Në njoftimin e AZHBR-së nuk përshkruhet arsyeja konkrete pse këta fermerë u përjashtuan një vit më parë. Institucioni bën të ditur se gjatë një “rikontrolli administrativ” u konstatuan parregullsi në hartimin e listës së aplikantëve të përjashtuar: lista ishte përgatitur jo në përputhje me Udhëzimin nr. 14.2025. Duke pranuar gabimin administrativ, AZHBR vendosi të shfuqizojë listat e aplikantëve të përjashtuar dhe të rikthejë aplikimet për vijimin e procedurës së shqyrtimit administrativ.
AZHBR shprehet në njoftim: “Për këtë arsye, AZHBR vendosi shfuqizimin e listave të aplikantëve të përjashtuar nga e drejta e përfitimit për një periudhë 3-vjeçare dhe rikthimin e aplikimeve për vijimin e procedurës së shqyrtimit administrativ.” Praktikisht, fermerë që ishin konsideruar jashtë skemës rikthehen në garë për fondet e vitit 2026.
Rritja e numrit të përfituesve brenda skemës kombëtare pritet të ketë ndikim financiar. Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, do t’i duhet të kërkojë fonde shtesë nga buxheti i shtetit për të paguar fermerët që në faqen e AZHBR-së kanë marrë statusin e aplikantëve të rinj. Top Channel.

