Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, është vënë në pranga Kastriot Hasko, i akuzuar për përfitim të paligjshëm të pronave dhe për ‘Falsifikim të dokumenteve’, së bashku me Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, ish-drejtorë të ASHK-së Fier. Sipas prokurorisë, Hasko paraqiti si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, me të cilat arriti të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe prej 1,143 hektarësh në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, duke u paraqitur si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë, Hasko përdori një prokurë të falsifikuar për të shitur të njëjtën tokë në dy shoqëri të ndryshme. Prokuroria ka referuar dokumentet e tokës në Palasë te SPAK për dyshime për falsifikim.
Hasko, 71 vjeç, rezulton gjithashtu ortaku i Vasil Bedinajt dhe i përfshirë në konflikt pronësor në Palasë me biznesmenin Luan Muça. Pak ditë përpara arrestimit, Hasko në një reagim për Top Story deklaroi se është trashëgimtar i pronës duke shpjeguar se e ëma e tij e kishte regjistruar tokën në vitin 1996 në hipotekë dhe se ka vërtetim pronësie. Ai tha se mund t’i paraqes dokumentet bashkë me avokaten dhe përsëriti se është trashëgimtar.
Në të njëjtat deklarata Hasko përmendi se bëhet fjalë për 37 hektarë dhe se ai është përfaqësues i të gjithë trashëgimtarëve, duke thënë se ka kontratë me një person të quajtur Regina dhe se ka bërë kallëzime. Ai deklaroi se prona “do vejë te i zoti” dhe se dokumentacionet i ka të rregullta, duke shtuar se nuk është kërcënuar dhe se deri tani nuk është thirrur në SPAK, por se nëse thirret do të sjellë dokumentacionin. Hasko theksoi se prona është amanet i nënës së tij, e regjistruar në ’96, dhe shprehu gatishmërinë që shteti ta shpronësojë nëse duhet, pa kundërshtim të tij. Top Channel njofton rastin.

