Pas vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për dënimin e ish‑liderëve të UÇK, ka reaguar për herë të parë djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi. Ai deklaroi se asnjë vendim nuk e ndryshon historinë dhe shprehu mirënjohje për qytetarët që morën pjesë dhe pritën vendimin.
Në reagimin e tij, Endrit Thaçi falënderoi “të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin”, duke veçuar ata që nuk ndalën zërin edhe pas shpalljes së vendimit. Ai tha se mirënjohja e tij shkon për secilin që u bë krah për babanë dhe shokët e tij gjatë viteve, në atë që e përshkroi si “rrugëtim të padrejtë”.
Endrit shtoi se sapo të kthehet do t’i bashkëngjitet zërit të atyre që protestuan dhe u solidarizuan, dhe theksoi se “kjo betejë nuk ka mbaruar”. Ai bëri të njëjtën krahasim me qëndrimin e babait gjatë ditës së vendimit, duke thënë se, ashtu si babai që u përball me këtë ditë “me kokën lart”, edhe ata do të vazhdojnë “me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”.
Në pjesën tjetër të mesazhit, Endrit Thaçi nënvizoi njohjen e trashëgimisë dhe sakrificës: “Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, shkroi ai.
Endrit Thaçi ishte i pranishëm sot në Hagë gjatë shpalljes së vendimit. Pas seancës u pa i trishtuar duke dalë nga Gjykata, por nuk pranoi të jepte asnjë koment për gazetarët.

