Gjykata e Lartë ka kundërshtuar ashpër mënyrën se si Komisioni për Çështjet Ligjore zhvilloi procedurën parlamentare për projektligjin që prek pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve, dhe kërkon që projektligji të mos kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit. Në deklaratë, Gjykata vë në dukje se përfaqësuesit e gjyqësorit u njoftuan më pak se dy orë para se të paraqiteshin në Komision, megjithatë ata morën pjesë në konsultim. Ajo thekson se nuk iu vunë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin tekstin dhe mungoi informacioni i plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë.
Gjykata argumenton se konsultimi institucional nuk mund të jetë thjesht formal dhe se qëndrimet e paraqitura duhet të shqyrtohen realisht përpara se të dërgohet një projektligj për votim. Në qendër të kundërshtimeve janë çështjet që lidhen me pagën referuese të magjistratëve, koeficientin 0,38 të pagës së Presidentit të Republikës, pagat e prapambetura, hierarkinë e pagave brenda sistemit gjyqësor dhe zbatimi i vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen vetëm duke iu referuar numrit të tyre, por duke zbatuar përmbajtjen dhe arsyetimin kushtetues.
Sipas deklaratës, ndryshimet e reja të bëra në projektligj vendosin gjyqësorin në një pozitë më të pafavorshme; mungesa e transparencës dhe e konsultimit real krijon pikëpyetje që duhet sqaruar nga Komisioni. Gjykata i kërkon Kuvendit që të mos e kalojë projektligjin në formën aktuale dhe kërkon ndërmarrjen e hapave para çdo procedure të mëtejshme: sqarimin e rregullsisë, kohës dhe mënyrës së depozitimit dhe shqyrtimit të amendamenteve, arsyet pse amendamentet nuk iu bënë të njohura gjyqësorit gjatë konsultimit, publikimin e mendimit të Këshillit të Ministrave mbi efektet financiare, verifikimin e procedurave dhe afateve parlamentare, dhe sigurimin e një mundësie reale për gjyqësorin që të shprehë vlerësime mbi variantin e fundit të projektligjit.
Në përfundim Gjykata kërkon rivlerësimin e plotë të projektligjit në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori, duke theksuar se “Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit”. Ajo shton se nuk kërkon epërsi ndaj Kuvendit, por as nënshtrim, duke përmendur ndarjen e pushteteve dhe kufijtë kushtetues.

