Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim apartamente dhe njësi shërbimi në Njësinë Administrative nr. 11, të cilat shtohen në fondin publik të pronave për programet sociale të strehimit. Pas zhbllokimit të procedurave, përfaqësues të Bashkisë ishin të pranishëm gjatë procesit të marrjes në dorëzim, ndërsa apartamentet rezultojnë të certifikuara dhe të përfunduara sipas standardeve të parashikuara në projekt.
Sipas përfaqësuesve të Bashkisë, apartamentet janë në gjendje shumë të mirë, plotësojnë kriteret e projektimit dhe të zbatimit të punimeve dhe janë të gatshme për banim. Nga dita e dorëzimit, ato kalojnë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Bashkia sqaroi se këto njësitë janë pjesë e mekanizmit të parashikuar gjatë procesit të lejeve të ndërtimit, përmes të cilit sektori privat kontribuon në krijimin dhe zgjerimin e fondit publik të banesave sociale.
Apartamentet e përfituara përmes këtij mekanizmi do të përdoren brenda programeve të strehimit social dhe u shërbejnë individëve dhe familjeve që plotësojnë kriteret ligjore për përfitim. Bashkia e Tiranës administron, ndër të tjera, programin e banesave sociale me qira; në procedurat e saj parashikohet posaçërisht edhe përdorimi i apartamenteve të shtuar në fondin publik si rezultat i kontributit 3% të sektorit privat.
Marrja në dorëzim e njësiteve në Njësinë Administrative nr. 11 vijon zbatimin e këtij mekanizmi, duke rritur asetet publike që Bashkia mund të vendosë në dispozicion të politikave të strehimit. Këto asete synojnë të mbështesin familjet dhe individët që kanë më shumë nevojë për mbështetje, sipas kritereteve ligjore dhe procedurave të përcaktuara nga Bashkia.

