Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Të katër janë shpallur fajtorë për një sërë krimesh lufte dhe janë dënuar me gjithsej 81 vite burgim: Thaçi 25 vite, Veseli 18 vite, Selimi 13 vite dhe Krasniqi 25 vite.
Trupi gjykues i shpalli katër ish-drejtuesit e UÇK-së fajtorë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Gjykata i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit, krimet e konstatuara nga trupi gjykues ishin të rënda dhe të përhapura gjerësisht, duke përfshirë 14 komuna të Kosovës dhe dy rrethe në veri të Shqipërisë.
Për Rexhep Selimin, trupi gjykues përcaktoi dënime të veçanta: 6 vite për ndalim të paligjshëm, 2 vite për trajtim mizor, 8 vite për torturë dhe 11 vite për vrasje të paligjshme. Dënimi i njësuar për Selimin u përcaktua në 13 vite burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Për Jakup Krasniqin, dënimet e veçanta të vendosura ishin 15 vite për ndalim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vite për torturë dhe 23 vite për vrasje të paligjshme. Dënimi i njësuar për Krasniqin është 25 vite burgim, ku është marrë në konsideratë edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sa i përket Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, trupi gjykues i shpalli fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Thaçi u dënua me 25 vite, ndërsa Veseli me 18 vite burgim.
Aktgjykimi i shpallur është i shkallës së parë. Palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin.

