Pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor, në orën 10:00 pritet të shpallet aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Vendimin do ta shpallë Trupi Gjykues II, i përbërë nga tri anëtarë me të drejtë vote dhe një gjyqtar rezervë.
Në krye të trupit gjykues qëndron amerikanit Charles L. Smith III. Smith ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor amerikan dhe ka shërbyer si gjyqtar në shtetin e Iowa-s. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e EULEX-it në Kosovë, duke përfshirë punën në Gjykatën Supreme të vendit. Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Smith kryeson trupin gjykues për këtë çështje.
Anëtar i trupit është gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili ka përvojë të theksuar në drejtësinë penale dhe atë ndërkombëtare. Barthe ka shërbyer si prokuror publik në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani, ku është marrë me çështje që lidhen me krimet e luftës dhe gjenocidin. Gjatë tërë procesit ai ka qenë pjesë e trupit që ka shqyrtuar provat dhe dëshmitë.
Si anëtar i tretë me të drejtë vote figuron zvicerani Guénaël Mettraux, karriera e të cilit lidhet ngushtë me të drejtën penale ndërkombëtare. Mettraux ka punuar në çështje të krimeve të luftës, ka pasur përvojë si avokat mbrojtës dhe si këshilltar para disa gjykatave ndërkombëtare. Ai ka shërbyer në struktura të drejtësisë ndërkombëtare dhe është profesor i së drejtës penale ndërkombëtare.
Gjyqtar rezervë i trupit gjykues është irlandezi Fergal Gaynor, i cili gjithashtu ka përvojë të gjatë në drejtësinë ndërkombëtare. Gaynor ka punuar në procese pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Në këtë rast ai mban rolin e gjyqtarit rezervë të trupit që do të shpallë vendimin.
Top Channel

