Edukimi i një fëmije ka një kosto të konsiderueshme për familjet shqiptare, që fillon që në klasën e parë me blerjen e librave. Edhe pse Ministria e Arsimit ofron tekste falas, shumë prindër preferojnë t’i blejnë ato në librari, pasi librat shtetërorë shpesh janë të plotësuar. Më pas, shpenzimeve u shtohen mjetet shkollore, veshjet dhe nevoja të tjera që lidhen me shkollimin, duke çuar në një kosto mesatare rreth 20 mijë lekë të reja në muaj për vendin, sipas ekspertes së ekonomisë Romina Radonshiqi.
Shpenzimet rriten me afërsinë ndaj kryeqytetit; në Tiranë mund të arrijnë rreth 30 mijë lekë në muaj. Kjo rritje lidhet kryesisht me koston e kurseve private (afterschool) dhe transportit. Shumë prindër paguajnë furgon për transportin e fëmijëve nga shtëpia në shkollë dhe më pas në kurse. Prindërit shpesh paguajnë edhe për orë mësimore shtesë në qendra private, jo vetëm për të përmirësuar rezultatet e nxënësve, por edhe për shkak të orareve të zgjatura të punës. Për familjet e reja, afterschool-i shihet gjithashtu si një vend i sigurt ku fëmija mund të qëndrojë pas përfundimit të mësimit.
Ekspertja thekson se, kur krahasohen kostot e jetesës me nivelin e pagave, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave familjare shkon për rritjen, edukimin dhe ushqyerjen e një fëmije. Ajo përmend “faturat e kripura të edukimit dhe argëtimit” si një nga faktorët që po sjellin përcaktimin e familjeve më të vogla dhe që i bën çiftet e reja të rishikojnë vendimin për të bërë fëmijë.
Për herë të parë, qeveria shqiptare do të aplikojë programin “Pas Shkolle” në 408 shkolla. Programi do të zhvillojë aktivitete të ndryshme, nga ndihma për detyrat e shtëpisë deri te orët zbavitëse të muzikës, zejtarisë dhe sporteve. Sipas Ministrisë së Arsimit, qëllimi i programit është zhvillimi social dhe kulturor i fëmijëve, jo vetëm mbajtja e tyre derisa prindërit të dalin nga puna.

