Alket Rizai, i njohur si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit grek Vasilis Paleokostas dhe i arratisur dy herë me helikopter nga burgu, u përfshi në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos të Athinës në orët e para të mëngjesit. Nga analiza e pamjeve filmike, të cilat policia shqyrtoi vonë pasdite, u konfirmua se një nga personat kryesorë të përfshirë ishte Rizai, i cili ndodhej jashtë qelisë pasi kishte fituar leje nga Burgu i Domokos.
Policia mori njoftimin për të shtëna rreth orës 05:15. Në vendngjarje efektivët gjetën vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku. Më vonë Qendra Shëndetësore e Kalivisë njoftoi se kishin mbërritur dy të plagosur: një 20-vjeçar grek me plagë nga fragmentet e xhamit në kyçin e këmbës dhe një 41-vjeçar pakistanez me plagë plumbi në pulpë. Të dy rezultuan punonjës të biznesit. Pronari dhe punonjësit dhanë versione të ndryshme në dëshmitë e tyre.
Sipas hetimeve, konflikti nisi kur pronari kërkoi uljen e muzikës pasi klientët po largoheshin. Rezai doli në parking dhe rriti volumin e muzikës në automjet. Pronari doli jashtë për t’i tërhequr vëmendjen, nga frika se policia do të ndërhynte për zhurmën. Debati u përshkallëzua dhe në sherr u përfshinë edhe persona të tjerë të stafit. Gjatë përplasjes, Rizai dyshohet se nxori armën dhe qëlloi në ajër. Më pas një shtetas afgan, dyshohet pjesë e sigurisë së lokalit, hapi zjarr dhe ai është shpallur në kërkim.
Si pasojë e të shtënave dhe rikoshetit të plumbave u plagosën dy punonjësit e lokalit. Pas ngjarjes, Rizai dhe dy miqtë e tij u larguan me shpejtësi me makinë. Pronari i biznesit u arrestua për dhënie të deklaratë të rreme.
Ngjarja vuri në lëvizje autoritetet greke, pasi në mëngjesin e të njëjtës ditë Rezai kishte afatin e fundit për t’u kthyer në Burgun e Domokos; në të kundërt ai do të shpallej zyrtarisht i arratisur.

