Alket Rizai, një shqiptar dhe ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit grek Vasilis Paleokostas, i arratisur më parë dy herë me helikopter nga burgu, u identifikua nga policia si një nga të përfshirët në incidentin me të shtëna në një bar plazhi në Anavyssos të Athinës, në orët e para të mëngjesit. Nga pamjet filmike që autoritetet arritën të shikonin vonë pasdite, u përcaktua se Rizai, i liruar nga Burgu i Domokos me leje, ishte prezent në vendngjarje.
Policia mori një telefonatë për të shtëna në orën 5:15. Në vendmbërritje gjeti vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku. Më vonë, Qendra Shëndetësore e Kalivisë njoftoi se për ndihmë të parë ishin dërguar dy persona: një 20-vjeçar grek me plagë nga fragment xhami në kyçin e këmbës dhe një 41-vjeçar pakistanez me plagë plumbi në pulpë. Të dy rezultuan punonjës të biznesit dhe dhënë deklarata me versione të ndryshme për ngjarjen; po ashtu pronari i lokalit dha një version të ndryshëm.
Sipas hetimeve të policisë, ngjarja nisi pasi shumica e klientëve kishin dalë dhe pronari uli muzikën. Rizai, i cili ishte aty me dy miqtë e tij, doli në parking dhe rriti zërin e muzikës në makinën e tij. Pronari e qortoi, duke shprehur shqetësimin se mund të thirrej policia për zhurmë, dhe u zhvillua një grindje në të cilën dolën jashtë edhe persona të tjerë nga lokali. Gjatë konfliktit, Rizai duket se nxori një armë dhe qëlloi në ajër. Një person afgan, i cili doli nga lokali dhe dyshohet të ketë qenë në rolin e bodyguard, gjithashtu qëlloi. Si pasojë e të shtënave, plumbat bënë rikoshet dhe plagosën dy punonjës të tjerë të biznesit.
Rizai dhe dy shokët e tij u larguan me makinë me shpejtësi; afgani, që gjithashtu figuron në kërkim, iku nga vendi i ngjarjes. Pronari i lokalit është arrestuar për dhënie deklarate të rreme lidhur me incidentin. Është bërë e ditur se Rizai duhet të kthehet në Burgun e Domokos të hënën në mëngjes; nëse nuk paraqitet do të shpallet i arratisur, çka ka shkaktuar mobilizim të Policisë.

