Shqipëria përballet me sfidën jo vetëm të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe të aftësisë për të përfituar realisht nga mundësitë që ofron anëtarësimi. Në një intervistë për Top Channel, Grzegorz Zielinski, Drejtor Menaxhues i BERZH për Evropën Juglindore, vë në dukje se një çështje kryesore është kapaciteti i vendit për të përgatitur dhe zbatuar projekte, si dhe për të përthithur dhe përdorur në mënyrë efikase fondet e BE-së, qoftë para apo pas anëtarësimit. Sipas tij, përdorimi i fondeve të BE-së është thelbësor për të nxitur rritjen e ekonomisë shqiptare, ku këto fonde do të shërbejnë si “karburanti” i rritjes.
Zielinski thekson se problemi i kapaciteteve është i pranishëm jo vetëm në nivel qendror, por duhet të adresohet edhe në nivele lokale, veçanërisht nëpërmjet bashkive, të cilat do të luajnë një rol kyç në drejtimin e ndryshimit. Përmirësimi i infrastrukturës lokale, përfshirë lidhjet me rrugët, do ta bëjë mjedisin më të favorshëm për investimet private.
BERZH vëren dobësitë e ekonomisë shqiptare, përfshirë një strukturë eksporte me kompleksitet të ulët dhe statusin e vendit si importues neto i mallrave. Përballë kësaj, rekomandohet një kalim nga konkurrenca e bazuar në kosto të ulët drejt prodhimeve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar më të madhe. Bizneset shqiptare duhet të krijojnë lidhje më të forta mes tyre dhe të shfrytëzojnë përvojën e vendeve të tjera të rajonit për të bërë produktet dhe shërbimet konkuruese në tregun pan-evropian.
Përsa i përket financimit nga BERZH, ai do të jetë i disponueshëm, por jo pa kushte: financimet duhet të përdoren në përputhje me prioritetet dhe avantazhet konkurruese të së ardhmes së vendit. Zielinski nënvizon rëndësinë që kapacitetet për përgatitjen e projekteve dhe përthithjen e fondeve të ekzistojnë në të gjitha nivelet për të siguruar që investimet të jenë efektive dhe të tërheqin kapitalin privat. Top Channel.

