Një përplasje e fortë është shënuar sot në Berat, gjatë takimit të zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive, në kuadër të konsultimeve për reformën e re territoriale.
Sipas burimeve, gjatë diskutimeve ka pasur debat mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotka. Debati është tensionuar dhe, sipas të njëjtave burime, Rama i ka kërkuar Zotkës të largohet nga takimi.
Kjo është përplasja e dytë mes Ramës dhe Zotkës brenda pak kohësh. Një tjetër debat mes tyre u shënua në Kuç gjatë muajit gusht, në një klimë tensioni lidhur me reformën territoriale.
Në qendër të debatit qëndron edhe çështja e Poliçanit dhe ideja për bashkimin e tij me Bashkinë Berat. Vendimi ka shkaktuar kundërshtime të forta lokale. Në shenjë proteste, qytetarë të zonës kanë djegur teserat e Partisë Socialiste, duke kundërshtuar bashkimin territorial.
Tensionet tregojnë se reforma e re territoriale nuk po përballet vetëm me diskutime administrative, por edhe me rezistencë politike dhe qytetare në disa zona.
Rama dhe Zotka përplasen sërish. Këtë herë, në Berat, në tryezën ku duhej të diskutohej e ardhmja e hartës territoriale të vendit.

