Kryeministri Edi Rama reagoi sërish në platformën X, duke sjellë të dhëna të reja mbi pagat e gjyqtarëve në Shqipëri dhe mbi rritjen e kërkuar prej tyre. Ai shkruan se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore. Sipas Ramës, ajo është 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, dhe po ashtu më e lartë se në Kroaci, Bullgari dhe Serbi.
Kryeministri thekson se nëse miratohet rritja e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të tejkalojë edhe atë të kolegëve në Greqi, Rumani dhe Slloveni. Në postim ai citon shprehjen “Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop”, duke parashikuar se pas rritjes, diferenca ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut do të rritej në 140%, ndërsa në raport me administratën shqiptare do të arrinte 470% më shumë.
Rama krahason më tej pagat e trupës gjyqësore me pagat e drejtuesve më të lartë të shtetit. Sipas tij, me rritjen e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të ishte rreth 1,000 euro më e lartë se e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se e një ministri. Ai shton se për nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor diferenca do të ishte edhe më e madhe: aktualisht paga më e lartë në sistem është gati 2,000 euro më shumë se e Presidentit dhe 3,000 euro më shumë se e ministrit, por me rritjen, “shkon mbi 5,000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6,300 Euro më shumë se e ministrit”, siç thotë ai në postim.
Në fund të reagimit, Rama lidh çështjen e pagave me kallëzimin penal që, sipas tij, shoqatat e gjyqtarëve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtuesve të thesarit në të gjithë vendin. Ai shtron akuzën se nuk dorëzojnë “çelësat e thesarit” për të bërë pagesat e kërkuara pa vendim të parlamentit. Postimi i plotë i kryeministrit është shpërndarë në profilin e tij.

