Partia Demokratike e Kosovës njofton se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. PDK argumenton se afatet kushtetuese për konstituimin janë shkelur dhe se LVV ka vendosur vazhdimisht kushte të reja politike për përmbylljen e procesit.
Sipas PDK-së, Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese. PDK thotë se edhe afati i dytë, 6 shtatori, i propozuar nga Vetëvendosje, nuk u respektua. Megjithatë, partia deklaron se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me ftesë të LVV-së dhe me qëllimin për të përmbyllur konstituimin e Kuvendit, por se procesi u pengua të dyja rasteve për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të opozitës.
PDK pretendon se votoi kandidatin e LVV-së për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa LVV nuk votoi kandidaten e PDK-së për të njëjtin post. Sipas deklaratës, tashmë LVV është shprehur e gatshme të votojë nënkryetarët, por ka lidhur këtë çështje me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës. PDK thekson se Kushtetuta nuk mund të bëhet “pazar politik” dhe se konstituimi i Kuvendit është një detyrim kushtetues që nuk mund të kushtëzohet me votën për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike.
Duke kërkuar që të ndalen afatet e shkelura, kushtet e reja dhe pazaret politike, PDK njofton se nuk do të marrë pjesë në seanca të njëpasnjëshme, pasi sipas saj nuk ka garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të vendosen kushte të reja. Ekspertët e partisë kanë nisur përgatitjen e rastit që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar qartësi mbi procesin. PDK përsërit se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese qëndrimi i saj mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

