Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) njoftoi në faqen e saj zyrtare miratimin e një huaje direkte prej 302 milionë dollarësh për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të programit të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF). DSCA rikonfirmon, sipas njoftimit, angazhimin e Shteteve të Bashkuara për aleanca dhe partneritete të forta dypalëshe, të bazuara në respektin reciprok, investimet e përbashkëta dhe prioritetet strategjike.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë e cilësoi këtë vendim si një lajm të mirë që ka jehonë përtej shifrës prej 302 milionë dollarësh. Në reagimin e Nufit thuhet:
“DSCA njofton lajmin e mirë për huanë direkte të Financimit të Huaj Ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Konfirmim edhe një herë i SHBA i besimit të tyre te Shqipëria, te Aleanca jonë dhe te rruga që kemi zgjedhur për modernizimin e Forcave të Armatosura.
Marrëveshja për huanë direkte në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak (FMF) është një investim i rëndësishëm në kapacitetet tona mbrojtëse dhe në aftësinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe më shumë në sigurinë e përbashkët të NATO-s.
Nga Angazhimi i Hagës te NATO 3.0, Shqipëria 🇦🇱 po e kthen vizionin në kapacitete konkrete.
Ky është më shumë se financim. Është besim, partneritet strategjik dhe investim në sigurinë e së ardhmes. #StrongerTogether”
Njoftimi i DSCA dhe reagimi i Ministrit të Mbrojtjes theksojnë se huaja direkte në kuadër të FMF konsiderohet si një formë investimi strategjik në kapacitete mbrojtëse të Shqipërisë dhe në pjesëmarrjen e saj më të thellë në sigurinë e përbashkët të NATO-s. Përmbajtja e komunikatave fokusohet te aspektet e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe te qëllimi për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe transformimin e vizionit strategjik në kapacitete konkrete.

