Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Rudina Xhungën në podcastin e tij, foli për protestat, momentin kur kishte menduar dorëheqjen dhe për ndikimin e teknologjisë dhe profileve jo reale në përhapjen e narrativave në rrjetet sociale. Ai tha se reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve e shtynë të analizojë ndryshimet në shoqëri dhe rritjen e pritshmërive ndaj qeverisjes, duke theksuar se për një lider është provë të pranojë se sfiduesi mund të ketë të drejtë.
Rama rikujtoi deklaratën e bërë pas nisjes së protestave, kur ishte shprehur se kishte menduar dorëheqjen: “Dorëheqja, mbase vjen momenti për ta shpjeguar”, dhe solli shembullin e një kryetari bashkie që, pavarësisht investimeve, u përball me pakënaqësinë e banorëve. Sipas tij, kjo nuk duhet parë domosdoshmërisht si mosmirënjohje, por si pasojë e ndryshimit të pritshmërive. Rama tha se më parë kishte pasur mirënjohje për ndërtimin e rrugëve, shkollave apo sistemit të ndriçimit, por tani qytetarët kërkojnë vazhdimisht përmirësime të mëtejshme.
Kryeministri pranoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar menjëherë këtë ndryshim dhe e përshkroi fazën si “revolucion i pritshmërive të larta”: kur një shërbim përmirësohet, qytetarët kërkojnë nivelin tjetër të shërbimit, shembullin duke e lidhur me shpërndarjen e ujit që nga dy orë në ditë e më pas 14 orë, nga ku lind kërkesa për 24 orë.
Në bisedë Rama trajtoi edhe ndikimin e teknologjisë dhe llogarive artificiale në krijimin dhe përhapjen e narrativave, duke iu referuar debatit rreth projektit të investimit në Sazan dhe lidhjeve me Izraelin. Ai tha se ekzistojnë profile të krijuara “në laborator” që marrin pamjen e përdoruesve realë dhe shërbejnë për të amplifikuar narrativa të ndryshme, dhe se këto llogari janë të vështira për t’u identifikuar nga platformat e rrjeteve sociale.
Kryeministri tha se shteti ka ndërtuar mbrojtje kibernetike pas një sulmi që sipas tij erdhi nga Irani, dhe se tashmë disponon teknologji “top of the top” dhe kapacitete identifikuese për ndërhyrjet e huaja, duke theksuar nevojën për verifikim të fakteve përpara se t’u atribuohen sulmeve burime të caktuara.

