Më 14 shtator nis viti i ri shkollor dhe shkollat e kryeqytetit janë në përgatitjet e fundit për të mirëpritur nxënësit. Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për të garantuar fillimin e rregullt dhe të sigurt të procesit mësimor, përfshirë mirëmbajtjen e godinave, pastrimin, verifikimin e sinjalistikës rrugore dhe organizimin e transportit shkollor.
Në Tiranë funksionojnë 146 shkolla publike, prej të cilave shtatë janë të reja dhe hapin dyert këtë vit shkollor. Zona e Astirit vijon të mbetet pa një shkollë për fëmijët; institucioni arsimor në atë zonë është ende në ndërtim dhe nuk u përfundua për këtë fillim shtatori. Sipas planifikimit, shkolla e Astirit pritet të jetë gati brenda sezonit shkollor 2026-2027.
Për të siguruar mbarëvajtjen e ditës së parë të shkollës, bashkia ka nxjerrë një urdhër që ngarkon Policinë Bashkiake të kryeqytetit të angazhojë punonjësit e saj. Në total do të jenë të angazhuar 120 punonjës të Policisë Bashkiake. Drejtoresha Elona Lalaj njoftoi se çdo punonjës ka marrë detyrimin për takime periodike me oficerin e sigurisë në shkolla dhe për sigurimin e fëmijëve para hyrjes në ambiente. Fokusi është tek shoqërimi i nxënësve në vijat e bardha dhe ndihma në kalimin nga një korsi në tjetrën, me qëllim që procesi të fillojë normalisht dhe pa problematika.
Një tjetër element që do të mbahet nën kontroll është siguria ushqimore. Qënga fillimit deri në përfundim të procesit mësimor do të kryhen kontrolle periodike lidhur me sigurinë e ushqimit në shkolla. Policia Bashkiake ka marrë masa për largimin e shitësve ambulantë që mund të qarkullojnë ose shesin rreth perimetrit të shkollave; shërbimi rreth perimetrit pritet të jetë i pandërprerë me kontrolle periodike.
Policia Bashkiake apelon prindërit që shoqërojnë fëmijët dhe drejtuesit e mjeteve për transport të veçantë të fëmijëve të respektojnë sinjalistikën rrugore, vendet e parkimit dhe të mos pengojnë qarkullimin e trafikut apo hyrjen e nxënësve në shkolla.

