Administrata gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka depozituar një ankesë kolektive pranë Avokatit të Popullit, duke kërkuar ndërhyrje institucionale për mosekzekutimin e pagave të muajit gusht 2026. Stafi civil gjyqësor dhe personeli mbështetës deklarojnë se kanë kryer rregullisht detyrat dhe kanë garantuar vijimësinë e veprimtarisë së gjykatës gjatë gushtit, por pagat nuk janë ekzekutuar brenda afatit ligjor, pa u komunikuar zyrtarisht asnjë bazë ligjore që ta justifikojë këtë mosekzekutim.
Administrata lidh situatën me problematikën pas vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat e magjistratëve, por thekson se statusi, pozicioni dhe paga e punonjësve të administratës gjyqësore janë juridikisht të dallueshme nga ato të magjistratëve. Në dokument evidentohet edhe qëndrimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ): me një shkresë të datës 3 shtator, KLGJ i ka bërë të qartë Ministrisë së Financave se pagat e administratës gjyqësore dhe stafit mbështetës nuk preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.15/2026 dhe as nga vendimi nr.435/2026 i KLGJ-së, duke kërkuar ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të gushtit.
Punonjësit pretendojnë se i janë drejtuar Ministrisë së Financave më 9 shtator 2026 për të marrë informacion mbi arsyet e moskalimit të pagave, por deri në paraqitjen e ankesës nuk kishin marrë përgjigje. Administrata ngre shqetësimin se ngërçi lidhur me pagat e magjistratëve ka prekur edhe punonjësit e administratës, edhe pse pagat e tyre nuk bëjnë pjesë në këtë mosmarrëveshje: “E konsiderojmë veçanërisht problematike që një kategori punonjësish (administrata gjyqësore), të cilët kemi ofruar shërbimin tonë dhe kemi garantuar funksionimin e gjykatave, të mbetemi pa pagë për shkak të një mosmarrëveshjeje tjetër që lidhet me një kategori tjetër pagash (ajo e magjistratëve)”.
Administrata argumenton se moskryerja e pagesës për një muaj pune përbën cenim të të drejtave të punonjësve, duke iu referuar nenit 110 të Kodit të Punës për detyrimin e punëdhënësit për pagimin e pagës. Si rrjedhojë, Avokatit të Popullit i kërkohet të marrë informacion zyrtar nga KLGJ, Ministria e Financave dhe strukturat e Thesarit, të verifikojë nëse pagesat janë bllokuar apo pezulluar për shkak të procedurave që lidhen me pagat e magjistratëve, dhe—nëse konstatohet pengesë administrative—të përcaktojë institucionin përgjegjës, aktin ose bazën ligjore. Në rast konstimi të cenimit të të drejtave, kërkohen rekomandime për masat e menjëhershme për ekzekutimin e pagave të gushtit dhe për parandalimin e përsëritjes së situatës, duke kërkuar trajtimin me prioritet të ankesës për të mos cenuar funksionimin e gjykatave. Burimi: Top Channel.

