SPAK njofton se vila në Palasë, e sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj Belinda Ballukut, është në pronësinë faktike të ish-ministres, dhe se Igli Tare është përdorur për fshehjen e saj përmes veprimeve që Prokuroria e Posaçme i konsideron fiktive. Hetuesit ngrejnë dyshime edhe për investimet dhe punimet në këtë pasuri, të cilat i lidhin me Arbër Abazin dhe me favorizimin e kompanisë së tij në procedurën e prokurimit për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Përballë këtyre akuzave, avokati i Igli Tares, Bledar Dervishi, dha në “Shqipëria Live” versionin e mbrojtjes për pronësinë e vilës, marrëdhënien mes Tares dhe Abazit, si dhe për komunikimin me email drejtuar Ballukut, ku flitet për dhënien me qira dhe mobilimin e pasurisë. Dervishi tha se “Ai e-mail ka një dërgues, është publik, pritësi do thuhet në vijimësi dhe do japi shpjegime. Igli është bërë pronar më 26, 11, 2020.”
Sipas avokatit, Tare është regjistruar si pronar më 26 nëntor 2020, ndërsa më pas Abazi kishte kërkuar ta blinte vilën. Dervishi pretendon se kishte një dakordësi fillestare mes tyre dhe se punimet nisën mbi bazën e kësaj dakordësie, por marrëveshja dështoi kur palët nuk ranë dakord për çmimin. Ai përshkroi se, pas mosmarrëveshjes mbi çmimin, përfshihet edhe investitori i veprës dhe se, në fund, kompania zhvilluese ka vendosur t’ia dërgojë vilën Tares. Sipas Dervishit, punimet që përmenden në email nuk ekzistojnë në vilë.
Avokati theksoi se ka marrëveshje kontraktuale për pronësinë: “Pronësinë e zotit Tare unë e kam të ligjshme. Kemi kontratë sipërmarrjeje, çdo gjë është në rregull, unë e kam provuar pronësinë.” Ai shtoi se asnjë email nuk mund të shërbejë si provë për pronësinë dhe se për të ngritur një akuzë duhet të ketë provë përtej dyshimit të arsyeshëm, duke nënvizuar se bërja publike e masave mund të dëmtojë personin. Në emision u paraqitën pyetje dhe përgjigje lidhur me qartësimin e palëve dhe dokumentacionin, ndërsa rasti vijon hetimin nga SPAK.

