Moti do të pësojë ndryshime gjatë fundjavës, me shtim të vranësirave dhe rikthim të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit. Sipas parashikimit, reshjet herë pas here do të shoqërohen me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe breshër në zonat malore, ndërsa era do të forcohet në relievet malore dhe përgjatë bregdetit. Nga e diela pritet edhe një ulje e temperaturave.
Që nga dita e sotme pritet shtim i vranësirave në orët e pasdites, veçanërisht në veri dhe perëndim përgjatë maleve. Reshjet e shiut parashikohen të jenë afatshkurtra dhe lokale, ndërsa në orët e mbrëmjes pritet shtim i vranësirave mesatare dhe të dendura në të gjithë vendin. Për ditën e nesërme priten alternime kthjellimesh të herëpashershme dhe vranësira mesatare e të dendura në të gjithë territorin; reshjet pritet të fillojnë që në orët e para dhe të vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Në zonat lindore priten herë pas here shtrëngata dhe shkarkesa elektrike, ndërsa në relievet malore ka rrezik për breshër.
Të dielën moti do të jetë i paqëndrueshëm, me shi të pranishëm kryesisht në jug të vendit. Gjatë ditës së hënë pritet mot i qëndrueshëm, ndërsa nga e marta në vijim parashikohet përkeqësim i situatës meteorologjike.
Gjatë fundjavës era do të jetë me shpejtësi rreth 8 metër për sekondë dhe herë-herë në relievet malore dhe në bregdet shpejtësi deri në 16 metër për sekondë. Në zonat malore temperaturat pritet të zbresin deri në rreth 13 gradë, me maksimume që nuk do të kalojnë 30 gradë. Në zonat e ulëta temperaturat parashikohen nga 19 deri në 34 gradë, ndërsa për pjesën bregdetare nga 22 në 34 gradë. Nga e diela pritet një ulje e mëtejshme dhe e përkohshme e temperaturave, në rreth 12 deri 32 gradë, sipas sinoptikanes Eneida Doçi.

