Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 40 vatra zjarri: 6 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 492 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 36 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Në Qarkun Tiranë zjarri në Malin e Dajtit vijon aktiv, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme në operacion u angazhuan strukturat vendore, Agjencia e Dëmeve dhe Zjarreve dhe Forcat e Armatosura; për sot FA do të angazhojë 30 efektivë në Dajt për mbështetje në terren. Vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
Në Qarkun Dibër vazhdojnë të jenë aktive vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë, ku po punojnë strukturat zjarrfikëse, pyjore, bashkiake dhe të emergjencave civile. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz. Vatrat në Rragam–Bardhaj–Myselim dhe Malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk raportohen banesa në rrezik. Sot 20 efektivë të Forcave të Armatosura do të angazhohen në Rragam, Shkodër, për të mbështetur operacionet në terren.
Në Qarkun Fier aktive vijon vatra në Çërrilë, Mallakastër, në një sipërfaqe me pyll pishe, lis dhe shkurre. Gjatë ditës së djeshme Forcat e Armatosura mbështetën operacionin me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete. Për sot është parashikuar angazhimi i 30 efektivëve të FA në Çërrilë, Mallakastër, për të mbështetur strukturat që vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Për ditën e sotme Forcat e Armatosura kanë planifikuar angazhimin e të paktën 80 efektivëve në Dajt, Çërrilë dhe Rragam, së bashku me strukturat vendore dhe forcat e tjera operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

