Më 09.09.2026, gjatë një tubimi në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprime hetimore dhe procedurale që çuan në arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Q., 33 vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se ka dhunuar disa kalimtarë gjatë tubimit dhe ka dëmtuar automjetin e një qytetari.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për një grup të shtetasve për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Në këtë grup përfshihen shtetasit Sh. B., I. M., V. D., A. Rr., S. E., A. P., A. D., E. K., B. K., E. N., A. A., K. Gj. dhe H. T.
Po ashtu, materialet u referuan në Prokurori dhe u nis procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. Zh. dhe M. R., të dyshuar për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe për “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishjen e qetësisë publike”. Gjatë kontrolleve fizike në këtë tubim u gjetën dhe sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e konsideruar provë materiale.
Sipas njoftimit, këta shtetas ishin vendosur në disa kryqëzime të qytetit dhe kishin bllokuar qarkullimin, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Vendndodhjet e përmendura janë Rruga e Elbasanit, kryqëzimi i Urës së Drejtorisë së Policisë Tiranë, kryqëzimi i Urës së Vasil Shantos, kryqëzimi te 21 Dhjetori dhe kryqëzimi te Inxhinieria e Ndërtimit.
Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të dyshuara gjatë tubimit dhe për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme. (Top Channel)

