Mbrojtësi i Pisës, Rosen Bozhinov, i cili një ditë më parë pati një krizë dehidratimi gjatë pjesës së parë të sfidës me Juventu Stabian, doli këtë të hënë nga spitali i Castellammare di Stabia në Napoli. Klubi konfirmoi lajmin përmes kanaleve zyrtare sociale dhe njoftoi se lojtari do të kthehet në Toskana për t’i nënshtruar ekzaminimeve të tjera mjekësore.
Incidenti ndodhi pak pas minutës së 40-të, kur Bozhinov ra papritur në tokë dhe mbeti i palëvizur, në dukje pa ndjenja. Ndeshja u ndal menjëherë dhe mjekët hynë në fushë për t’i dhënë ndihmën e parë. Në imazhe shihej shqetësimi i shokëve të skuadrës, ndërsa arbitri thirri kapitenët dhe stafet përkatëse, dhe më pas u vendos pezullimi i përkohshëm i sfidës.
Lojtari u dërgua në spital me barelë dhe ambulancë. Më vonë u qartësua se shkak i kolapsit me konvulsione ishte dehidratimi; gjatë gjithë kohës Bozhinov mbeti i vetëdijshëm. Për rastin reagoi edhe ministri italian i sporteve, Andrea Abodi, i cili theksoi se mbrojtja e shëndetit të sportistëve duhet të jetë prioritet. Në deklaratën e tij, Abodi tha: “Mendoj se shëndeti i sportistëve duhet të jetë një prioritet për të gjithë dhe ndoshta është e nevojshme të bëhet ndonjë ekzaminim më shumë për të kuptuar se çfarë ndodhi saktësisht sepse në situata të tilla, sado normale të jetë është diçka njerëzore edhe emotiviteti i reagimit. Është e nevojshme të kesh vetëdijen për arsyet që çuan në atë që ndodhi”.
Klubi po vazhdon komunikimin zyrtar për gjendjen e lojtarit dhe për hapat mjekësorë që do të ndiqen pas rikthimit të tij në të njëjtin rajon. Konfirmimi i dehidratimit si shkak i krizës ka qetësuar fillimisht stafin dhe tifozët, ndërsa ekzaminimet e mëtejshme pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e saktë të incidentit.

