Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se, pavarësisht vlerësimit të tij “pozitiv” për bisedimet me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, lufta kundër Rusisë duket se do të vazhdojë këtë dimër “për momentin”. Ai tha se shpreson të arrihen marrëveshje me partnerët amerikanë dhe se Ukraina mbështetet te suporti i partnerëve evropianë në rast se konflikti zgjatet gjatë dimrit.
Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve të tij të para në Kiev me të dërguarit e Donald Trump, Zelensky theksoi se çështja territoriale, që është në qendër të konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë, mund të zgjidhet vetëm përmes takimeve midis krerëve të shteteve. “Dua të këmbëngul në qëndrimin tim, i cili është se çështje të tilla komplekse mund të zgjidhen vetëm në nivelin e udhëheqësve,” tha ai, duke ritheksuar kërkesën e tij të gjatë për një takim me homologun rus Vladimir Putin, të cilin Kremlini e ka refuzuar.
Zelensky njoftoi gjithashtu se delegacionet amerikane dhe ukrainase diskutuan për sigurinë dhe garancitë ekonomike për Kievin, si dhe për një plan prosperiteti. Ai përshkroi bisedimet me përfaqësuesit amerikanë si pozitive, por pranoi se situata në terren mbetet e vështirë dhe e paparashikueshme në afat të shkurtër.
Nga ana e tij, i dërguari amerikan Steve Witkoff bëri thirrje që Moska dhe Kievi të bëjnë “kompromise” për të gjetur një rrugëdalje nga lufta që u ka sjellë humbje të dy palëve. Witkoff u shpreh se “të dyja palët duhet të bëjnë kompromis dhe të ngushtojnë dallimet e tyre”, dhe se ata besojnë se disponojnë elementet e nevojshme për ta arritur një zgjidhje. Ai pranoi se procesi është “shumë i vështirë”, por theksoi angazhimin dhe vendosmërinë për të synuar një zgjidhje diplomatike.
Witkoff tha se ishte i kënaqur me bisedimet e paqes, si në Moskë ashtu edhe në Kiev, dhe shprehu shpresën që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën, tash në vitin e pestë.

