Pas një ndërprerjeje 14-vjeçare, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar u rikthye në Tiranë, duke ringjallur aktivitetin e madh të artit dhe kulturës. Ngjarja mbledhi qindra artistë, nga korifejtë e kinemasë shqiptare deri te kineastët e rinj, në një përpjekje për të festuar trashëgiminë dhe të ardhmen e ekranit të madh.
Nata e hapjes solli momente emocionale dhe nostalgjike, me theks në vlerësimin e figurave që kanë shënjuar historinë e filmografisë shqiptare. Emra të mëdhenj, përfshirë Reshat Arbanën, Rozën Anagnosti, Ibrahim Muçajn dhe Kristaq Mitron, u nderuan me Çmimet e Karrierës për kontributin e tyre në artin shqiptar.
Ceremonia e hapjes nuk kaloi pa polemika. Një lapsus i organizatorëve shkaktoi që për pak sekonda në ekran të shfaqej fotoja e poeteshës Natasha Lako në vend të fotos së regjisores Xhanfize Keko. Për këtë incident, drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka, kërkoi ndjesë publikisht. Regjisori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, Natasha Lako, shprehën revoltën dhe pakënaqësinë përmes një statusi në të cilin e cilësuan festivalin “obobo, kjo mynxyrë”. Ata u shprehën gjithashtu të pakënaqur me ndarjen e 16 çmimeve të karrierës.
Megjithatë, polemikat nuk ulën entuziazmin e publikut. Pjesëmarrja e komunitetit kinematografik u raportua në nivele rekord, ndërsa aktivitetet e festivalit vazhduan me një program të ngjeshur shfaqjesh filmash, debate dhe takimesh mes brezave të ndryshëm të krijuesve.
Festivali do të zgjasë gjatë disa ditëve, me evente dhe diskutime që synojnë lidhjen mes brezave dhe promovimin e kinemasë shqiptare. Sipari i këtij edicioni jubilar do të ulet në natën finale më 12 shtator, kur do të ndahen çmimet kryesore të konkurrimit dhe do të mbyllet formalish festivali. Top Channel.

