Athletic Bilbao regjistroi një fitore të madhe në javën e katërt të La Ligës, duke mposhtur 3-0 Atlético Madrid. Pas një pjesë të parë pa gola, por me raste të shumta nga të dyja skuadrat, Athletic shpërtheu menjëherë pas pushimit dhe brenda pak minutash ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Vetëm 46 sekonda pas nisjes së pjesës së dytë, Nico Williams zhbllokoi sfidën me një goditje me kokë nga qendra e zonës, duke i dhënë avantazhin vendasve. Dy minuta më vonë, në minutën e 48-të, Robert Navarro dyfishoi shifrat pas një aksioni të shpejtë, duke përfituar nga hapësirat në mbrojtjen e Atlético Madridit.
Atlético reagoi dhe tentoi të rikthehej në lojë; trajneri Diego Simeone bëri një seri zëvendësimesh në minutën e 59-të, duke futur në fushë Julián Álvarez, Cristian Romero, Koke dhe Arnau Ortiz. Megjithatë përpjekjet e madrilenëve u përplasën me një Bilbao të organizuar dhe me një Unai Simón në formë të shkëlqyer. Portieri i Athletic u bë protagonist në disa raste, duke ndaluar goditjet e Julián Álvarez, Pablo Barrios dhe Marcos Llorente. Atlético pati edhe një mundësi të artë me Cristian Romero, por mbrojtësi nuk arriti të shënonte me kokë nga shumë pranë portës.
Vendasit vazhduan të jenë të rrezikshëm në kundërsulme dhe krijuan mundësi për të shënuar golin e tretë, i cili erdhi në minutën e 90-të. Oihan Sancet mori topin në qendër të zonës dhe me të djathtën mposhti portierin kundërshtar, duke vulosur fitoren spektakolare 3-0 të Athletic Bilbao. Kështu, Athletic sigurtoi një triumf bindës ndaj një prej skuadrave pretendente të kampionatit, ndërsa Atlético Madrid pësoi një humbje të rëndë pas një ndeshjeje ku nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara.
Rezultati përfundimtar: Athletic Bilbao 3-0 Atlético Madrid — 46′ Nico Williams, 48′ Robert Navarro, 90′ Oihan Sancet. Top Channel.

