Një natë e frikshme për ish-paparacin italian Fabrizio Corona: ai është përballur me një tentativë zhvatjeje dhe kërcënime ndaj tij dhe djalit të tij, në Milano, natën mes të enjtes dhe të premtes më 3 shtator. Sipas raportimeve të mediave italiane La Repubblica dhe Il Giorno, Corona ka marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese nga dy të rinj që ai i ka përshkruar si “ish-miq të djalit të tij”. Autorët i kanë kërkuar 500 euro, duke kërcënuar se në të kundërt do t’u bënin keq atij dhe djalit të madh, Carlos Maria, të cilin Corona e ka me ish-bashkëshorten Nina Moric.
Pas kërcënimeve, Corona është paraqitur në zyrën e ankesave në Via Fatebenefratelli në Milano, ku u ka treguar autoriteteve mesazhet dhe provat e komunikimit me dy personat. Sipas hetuesve, personat e përfshirë ia kishin kërkuar që të shkonte në adresën e caktuar në Via Noè. Corona u nis atje me automjetin e tij, ndërsa dy ekipe të policisë e monitoruan situatën në distancë për të garantuar sigurinë e tij.
Kur mbërriti në vendin e takimit, një 20-vjeçar, i dyshuar si autori i mesazheve kërcënuese, u shfaq dhe në një moment tensioni goditi me zinxhir xhamin e pasmë të makinës së Coronës. Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi të riun në vend. Bashkëpunëtori i 20-vjeçarit, një 24-vjeçar, u largua me vrap nga vendi i ngjarjes, por u identifikua më pas nga autoritetet.
Ndaj 20-vjeçarit është ngritur procedim penal për tentativë zhvatjeje. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë verifikimet dhe mbledhjen e provave të mëtejshme. Raportimet janë bërë nga mediat lokale, dhe informatat mbi veprimet e policisë dhe procedurat e nisura janë pjesë e hetimeve aktuale.

