Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se ka verifikuar një video të publikuar në rrjete sociale ku shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve; pamjet rezultuan të jenë filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, dhe K. N., 31 vjeç. J. M. vihet në pranga për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”. K. N. dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover” dhe ndaj tij janë regjistruar dyshime për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.
Gjatë kontrollit të banesës së K. N., policia gjeti dhe sekuestruar një sasi municioni, si dhe sekuestroi automjetin tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç. Sipas njoftimit, këta shtetas dyshohen se, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Policia njofton se po vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje dhe për nxjerrjen e të gjithë të dyshuarve përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale lidhur me ngjarjen janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

