Interi në vitet e fundit është paraqitur si skuadra më e konsoliduar në Serie A, duke fituar dy tituj kampion në tre sezonet e fundit, duke arritur dy herë në finalen e Ligës së Kampioneve dhe duke shtuar edhe Kupën e Italisë sezonin e kaluar. Këto arritje kanë nxjerrë krahasime me Interin e Jose Mourinhos të vitit 2010, skuadër që fitoi Tripletën (Champions League, Serie A, Kupë Italie).
Krahasimin e ka vlerësuar ashpër Wesley Sneijder, një nga elementët kyç të skuadrës së 2010-s, i cili për gazetën La Gazzetta dello Sport deklaroi se pas 16 vitesh ende nuk ka dalë një skuadër e njëjtë si e tyre dhe se “mendoj se asnjë lojtar i këtij Interi nuk do të kishte luajtur te skuadra jonë.” Ai shtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë se “Lautaro Martinez në vendin tim? Mos bëni shaka…”, duke theksuar se nuk sheh asnjë nga futbollistët aktualë si titullar në ekipin që fitoi Tripletën.
Holandezi foli gjithashtu për sfidat e ardhshme të Interit, duke përmendur dy ndeshjet tepër të vështira që presin ekipin: përballjen me Napolin në San Siro dhe më pas me Realin e Madridit në Santiago Bernabeu në Ligën e Kampioneve. Sneijder thekson nevojën që skuadra të jetë në gjendje më të mirë të mundshme për këto ndeshje dhe thekson rëndësinë psikologjike të rezultateve. Sipas tij, “Përpara ndeshjes në Bernabeu, është më mirë të luhet kundër një skuadre të rëndësishme italiane.”
Ai insistoi se në të dyja përballjet është thelbësore që lojtarët të jenë “të gjithë në 100% të formës dhe t’i japin një mesazh botës.” Sneijder vlerëson se me dy rezultate pozitive Interi do të demonstrojë se mund të rifitojë kampionatin dhe të vijojë rrugën në Ligën e Kampioneve deri në fund.

