Tre persona u arrestuan nga Policia e Durrësit, pasi dyshohen se shkaktuan dy zjarre në zonën e Ishmit dhe Shijakut. Në pranga janë vënë shtetasit Shaban Domi, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi.
Nga hetimet rezultoi se në zjarrin që ra në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, dyshohet se janë përfshirë shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth. Gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, ndërsa po prisnin tuba hekuri me gur fresibël, shkëndijat e krijuara dyshohen se shkaktuan zjarrin. Flakët u përhapën në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj. Specialistët për Hetimin e Krimeve i arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Po ashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, i dyshuar se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku si pasojë u dogjën tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi. Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për rastet e zjarrit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon tek qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos kryejnë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht djegien e mbetjeve bujqësore ose pastrimin e territorit me anë të djegies, duke paralajmëruar se këto veprime do të sjellin përgjegjësi ligjore. Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

