Një 67-vjeçar nga Arizona, i identifikuar si Arthur Ludin, u arrestua pas një episodi agresiv në një fluturim të kompanisë American Airlines që detyroi avionin të devijonte nga rruga dhe të kryente një ulje emergjente në Baltimore. Sipas Policisë Shtetërore të Merilendit, arrestimi u krye pasi avioni u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Baltimore/Washington, ku Ludin u mor në paraburgim. Gjatë incidentit, ai u lidh në sediljen e tij me shirit ngjitës, ndërsa duart iu lidhën me zinxhirë.
Fluturimi në fjalë, AA 618, ishte nisur nga Dallas me destinacion Newark, njoftuan FBI-ja dhe American Airlines. Një prej pasagjerëve, Juan Mejia, ish-oficer i zbatimit të ligjit, tha se situata u tensionua rreth tre të katërtat e fluturimit. Sipas Mejia, 67-vjeçari nisi të ofendonte stafin e kompanisë dhe pasagjerët e tjerë, duke përdorur gjuhë fyese dhe raciste, si dhe komente fyese ndaj disa grave që ndodheshin në rreshtin pas tij.
Mejia dhe një pasagjer tjetër, Richard Olenick, thanë se ndërhynë pasi Ludin u bë fizikisht agresiv. Ata qëndruan pranë tij dhe e mbajtën të ndaluar deri në ardhjen e oficerëve të policisë që hipën në avion dhe e morën në paraburgim. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi se avioni devijoi drejt Aeroportit Ndërkombëtar Baltimore/Washington rreth orës 22:15 dhe po heton gjithashtu incidentin.
Pas arrestimit të Ludin, sipas njoftimit të American Airlines, fluturimi vijoi normalisht drejt Newark. Policia e Autoritetit të Transportit të Maryland njoftoi se 67-vjeçari u akuzua për sjellje të pahijshme dhe sulm të shkallës së dytë për ngjarjet e ndodhura në bord. Hetimi lidhur me incidentin gjatë fluturimit vazhdon nga FBI-ja.

