Himara po përballet me zjarre që nisën mbrëmjen e djeshme, kur lagjja 1 Maji u përfshi nga flakët. Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, njoftoi se janë evidentuar gjashtë banesa të dëmtuara deri më tani; vlerësimi i plotë i dëmeve pritet pas shuarjes së flakëve. Sipas saj, nuk janë regjistruar bagëti të djegura. Pak çaste më parë në vendmbërriti edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Banorët tregojnë për një natë të vështirë: përhapja e shpejtë e flakëve detyroi disa persona dhe turistë të largohen nga banesat dhe strukturat ku ndodheshin, duke u zhvendosur drejt zonave më të sigurta. Informacionet paraprake nuk tregojnë për persona të lënduar. Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve thanë se zjarri i gjeti të papërgatitur dhe se flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Situata mbeti problematike deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës; rreth orës 02:00 një banesë tjetër u përfshi nga flakët, duke shtuar panikun mes familjeve në zonë. Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe krijoi një situatë të vështirë për banorët e Himarës.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vazhduan punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja ajrore, me helikopterë që hedhin ujë mbi flakët. Në terren janë angazhuar Forcat e Armatosura së bashku me forca të shumta zjarrfikëse të mbërritura nga qytete të ndryshme të vendit, në përpjekje për të izoluar dhe shuar vatrat aktive në territorin e Bashkisë Himarë.
Aktualisht situata vazhdon të jetë e vështirë; forcat në terren po punojnë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur banesat dhe zonat e banuara, ndërsa vlerësimi i plotë i dëmeve do të bëhet pasi flakët të jenë shuar tërësisht.

