Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, njoftoi se për të vënë nën kontroll zjarrin në Fier janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, duke përfshirë njësi vendore dhe mbështetje me helikopter. “Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin,” tha ai.
Çako theksoi se kapacitetet për evakuim janë në gatishmëri, pasi zjarri ka qenë më pranë disa njësive të bizneseve. Ai raportoi se këto njësitë, fatmirësisht, janë shpëtuar dhe nuk janë shkrumbuar apo djegur nga flakët, por situata mbetet problematike dhe ekziston rrezik potencial për zonat e banuara. Për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri mori përmasa të jashtëzakonshme, ndaj po punohet për të parandaluar çdo problem që mund të prekte banorët. “Natyrisht që, për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po punohet për të evituar çdo lloj problemi që mund të ketë në zonat e banuara dhe me njerëzit. Kjo është një prioritet i padiskutueshëm. Vazhdojmë punën,” shtoi ai.
Çako paralajmëroi qytetarët të tregojnë kujdes në ndezjen e zjarreve gjatë këtyre temperatureve të larta, duke theksuar përgjegjësinë njerëzore në shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve: “Mbetet një rrezik potencial dhe njerëzit duhet të na mirëkuptojnë, përtej faktit që duhet të jenë të kujdesshëm në ndezjen e zjarreve në këto temperatura të jashtëzakonshme, sepse, kuptohet, zjarri ka faktor vetëm njeriun”.
Korrespondenti i Top Channel, Neritan Trifoni, bëri me dije se janë nisur evakuimet e para të banorëve. Lajmi transmetohet nga Top Channel.

