Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po shqyrton një nismë të udhëhequr nga Togo, e mbështetur nga 54 shtete të Bashkimit Afrikan dhe vende të tjera, për të ndryshuar mënyrën se si paraqitet harta e botës, me synimin të pasqyrohen më saktë përmasat reale të kontinenteve, veçanërisht të Afrikës. Propozimi parashikon zëvendësimin gradual të projeksionit të hartës së Mercatorit me projeksionin “Equal Earth”, i krijuar në vitin 2018 dhe projektuar për të ruajtur më mirë raportet reale të sipërfaqeve të kontinenteve.
Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, e ka cilësuar nismën si një çështje shkencore dhe jo politike, duke deklaruar: “Kjo nuk është një çështje politike, por një debat shkencor. Të dhënat shkencore janë të padiskutueshme dhe të gjithë duhet ta pranojmë realitetin”, sipas “The Guardian”. Ai gjithashtu u shpreh: “Atyre që pyesin ‘pse tani?’, unë u përgjigjem ‘pse jo?’. Është koha për të ndryshuar narrativën dhe për të marrë përgjegjësinë për atë që mund ta rregullojmë vetë”.
Harta e Mercatorit, e krijuar në vitin 1569 nga kartografi flamand Gerardus Mercator për të lehtësuar navigimin detar, shkakton shtrembërime të konsiderueshme në përmasat e territoreve: vendet pranë ekuatorit paraqiten vizualisht më të vogla, ndërsa ato pranë poleve duken më të mëdha se në realitet. Në këtë hartë, Afrika mund të duket pothuajse sa Groenlanda, ndërkohë që në të vërtetë kontinenti afrikan është rreth 14 herë më i madh se ishulli. Fushata ndërkombëtare #CorrectTheMap thekson se Afrika mund të përfshijë brenda territorit të saj Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë, Japoninë, Meksikën dhe pjesën më të madhe të Evropës.
Nisma ka nxitur debat mbi ndikimin që hartat kanë në perceptimin e botës; ekspertë dhe aktivistë përdorin termin “kolonializëm kartografik” për të përshkruar mënyrën se si projeksioni i Mercatorit ka zvogëluar vizualisht vendet e Jugut Global dhe ka zmadhuar ato të Veriut. Një votë pozitive në OKB nuk do të ishte ligjërisht detyruese, por mund të ndikojë në përdorimin e hartave në shkolla, aplikacione dixhitale, platforma interneti dhe shërbime publike. Qeveria togoleze po planifikon një konferencë ndërkombëtare në Lomé, në bashkëpunim me UNESCO-n, Bashkimin Afrikan dhe kompani teknologjike, për të diskutuar zbatimin e mundshëm të këtij standardi të ri hartografik.

